Hyn përsëri në skenë kompania gjigande Turkish Telekom për blerjen e Albtelekomit shqiptar. Sipas drejtorit të TT Doany, që është edhe anëtar bordi i Oger Telecomit, kompania ka gjendje 4-5 miliardë dollarë për të investuar në botë gjatë vitit 2007
Hyn përsëri në skenë kompania gjigande Turkish Telekom për blerjen e Albtelekomit shqiptar. Ka qenë drejtori i përgjithëshëm i kompanisë kryesore turke të telefonisë fikse, Paul Doany, që ka deklaruar dje se firma që zotëron paketën aksionere prej 55% të Turkish Telekom, Oger Telecom, është e gatshme të kryejë, gjatë vitit 2007, dy blerje të mëdha në fushën e telekomunikacionit në vende të ndryshme. Një nga këto investime është pikërisht oferta për blerjen e 76% të aksioneve të Albtelekomit, e cila ka dy vjet që është bllokuar, pas ndryshimit të qeverisë në Shqipëri dhe ardhjes në krye të Ekzekutivit të partisë demokratike e koalicionit të djathtë. Por deklarata e drejtorit Doany ende nuk hedh dritë të plotë lidhur me atë, nëse Turkish Telekom do të paraqitet e vetme në një tender të ri, në rast se “Çalik” do të dështojë në përpjekjen e saj për të fituar garën, apo do të jetë, si më parë, partnere e kësaj kompanie, duke i asaj siguruar konsorciumin me një kompani të fuqishme dhe me përvojën e duhur në tregun ndërkombëtar të telekomunikacioneve. Vetë Paul Doany u shpreh se kompania në fjalë është e gatshme të marrë pjesë edhe në rast se zhvillohet një tender i ri për shitjen e pjesës së Albtelekomit që parashikohet të privatizohet. Sipas drejtorit të TT Doany, që është edhe anëtar bordi i Oger Telecomit, kompania ka gjendje 4-5 miliardë dollarë për të investuar në botë gjatë vitit 2007.