Saturday, March 24, 2007
Berisha çudit FMN, Taksa e Sheshtë 10%
Taksa e Sheshtë hidhet edhe njëherë në treg nga ana e kryeministrit Berisha, në kuadrin e premtimeve që qeveria i bën biznesit.Por specialistët e ekonomisë, e vlerësojnë si një mision të pamundur aplikimin në nivelin 10% të kësaj takse.Asnjë nga vendet e Evropës Lindore, madje edhe ata që janë pjesë e BE, tashmë nuk kanë mundur që të aplikojnë këtë nivel kaq të ulët.Me deklaratën e djeshme të Berishës, padyshim që e surprizuar ka mbetur edhe FMN, që kishte rënë dakord për të diskutuar një nivel afër 18%, gjithmonë nëse kjo taksë do të miratohej nga palët.Por edhe kësaj here Kryeministri, pa marrë parasysh mendimin e specialistëve të kësaj fushe për nivelin e kësaj takse, ka bërë një deklaratë që, si shumë të tjera, do të mbesë në kuadrin e fjalëve.Ky debat është mjaft i gjerë në të gjitha qarqet akademike, në mbarë botën.Qeveria shqiptare duket se është e vendosur për të zbatuar regjimin e Taksës së Sheshtë, brenda vitit 2008.Këtë entuziazëm e ka paraprirë kryeministri Berisha, gjatë përurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Rinasit.Për lexuesin "Taksa e Sheshtë" do të thotë që, çdo individ të paguajnë një normë të barabartë takse mbi të ardhurat personale dhe çdo biznes të paguajë të njëjtën normë mbi Tatim-Fitimin.Ndërkohë që administrimi tatimor aktual ka një sistem progresiv për të ardhurat personale, që do të thotë se për një pagë më të lartë paguan një normë më të lartë tatimi.Studimet thonë se Taksa e Sheshtë është alternativa e kundërt e asaj progresive.Idhtarët e saj shprehen, se Taksa e Sheshtë është e thjeshtë dhe e drejtë, ndërsa opozitarët e saj e shohin atë si një burim fitimi për të pasurit dhe diskriminuese për të varfrit.