Thursday, May 31, 2007

Regjistrimi i biznesit, ndryshon ligji për shoqëritë tregtare

Regjistrimi i biznesit, ndryshon ligji për shoqëritë tregtare

Banka Botërore: Në vitin 2006, janë dashur 39 ditë për të hapur një biznes në Shqipëri

Projekti për regjistrimin në një ditë të biznesit, ka sjellë si domosdoshmëri ndryshimin e ligjit për shoqëritë tregtare
Sipas raportit të Bankës Botërore, kostoja dhe procedurat e hapjes së një biznesi në Shqipëri, janë disa herë më të larta se fqinjët. Kjo është edhe një nga arsyet e investimeve tepër të ulëta, që vendi ka tërhequr nga jashtë.

Kostot e regjistrimi të një biznesi në vend, mbeten tepër të larta nëse krahason me fqinjët. Për këtë qëllim, Ministria e Ekonomisë ka paraqitur tashmë prej kohësh projektin e regjistrimit të një biznesi në një ditë, që pritet të zbatohet me fillimin e muajit shtator. Për të arritur këtë qëllim, një nga ndryshimet, sipas specialistëve, është domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për shoqëritë tregtare. Sipas raportit të Bankës Botërore, kostoja dhe procedurat e hapjes së një biznesi në Shqipëri, janë disa herë më të larta se fqinjët. Kjo është edhe një nga arsyet e investimeve tepër të ulëta, që vendi ka tërhequr nga jashtë.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financës, miratoi gjatë ditës së djeshme Projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.7638, datë 19.11.1992 "Për Shoqëritë Tregtare" të ndryshuar, e cila është si derivat i projektligjit "Për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit" që do të funksionojë si një “One-Stop-Shop”, për rritjen e cilësisë dhe krijimin e lehtësirave të regjistrimit të biznesit. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, ndryshimet e propozuara këtu janë bërë duke pasur parasysh risitë që sjell projektligji për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Një pjesë e dispozitave, që propozohen të ndryshohen në ligjin për shoqëritë tregtare, ka lidhje me faktin se procedurat e publikimeve, ligjërisht të detyrueshme për fazën e regjistrimit dhe në çaste të caktuara të veprimtarisë së shoqërisë, deri tani të rregulluara me Ligjin Nr.7667, i cili do të shfuqizohet, do të rregullohet nga ligji për shoqëritë tregtare dhe nga ligji "për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit". Dispozitat që kanë të bëjnë me formalitetet e caktuara për vlefshmëritë e mbledhjeve të aksionerëve, veprimet për likuidimin apo edhe për publikimet e mundshme, në rastin e emetimit të aksioneve të reja dhe të tregtimit të këtyre të fundit, do të rregullohen nga ligji për shoqëritë tregtare.

Miratimi i paketës së plotë ligjore, që është hartuar për regjistrimin e biznesit, do t'i hapë rrugë edhe hartimit të të gjitha akteve të tjera nënligjore, për bërjen funksionale të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, që do të nisë nga puna më 1 shtator 2007. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, do të mund të shërbejë si një sportel "One stop shop" për investitorët e huaj dhe vendas, që do të dëshirojnë të investojnë në Shqipëri në fusha të tilla si miniera, hidrokarbure, hidro-energji, etj. Ministri i Ekonomisë, Ruli, tha dje gjatë një takimi me punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), se kjo agjenci mund të luajë rolin e një "One stop Shop" për dhënien e informacionit të hollësishëm për çdo investitor, për fushat që mbulon kjo agjenci.

Gjendja aktuale
Të nisësh një biznes të ri në Shqipëri, kërkon një afat ditor prej 39 ditësh. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “Nisja e një biznesi më 2006-ën”, Shqipëria është nga vendet e rajonit që ka koston më të lartë ditore për të hapur një biznes të ri. Kjo kuptohet për shkak të procedurave mjaft burokratike e ligjore. Për të nisur një aktivitet, një biznesmeni shqiptar i kushton shumë më tepër se homologut në rajon dhe të vende të tjera të zhvilluara. Sipërmarrësit duhet të kalojnë 11 hapa për të hapur një aktivitet, për një kohë totale prej 39 ditësh. Nga ana tjetër, si numri i ditëve dhe i procedurave është më i lartë në krahasim me mesataren e vendeve të rajonit. Ndërsa kostoja e hapjes së një biznesi është shumë më e lartë në Shqipëri.

Kostoja totale e nisjes së një biznesi për Shqipërinë llogaritet të jetë rreth 578 dollarë në 2006, nga 647 dollarë që ishte në vitin 2005. Në krahasim me vitin 2005, kemi një rënie me 69 dollarë të kostos për të hapur një biznes. Ndërkohë që në fqinjin tonë, Maqedoni, ku ditët e hapjes së një biznesi janë 18 pagesa për hapjen e një aktiviteti të ri, janë 1.3 herë më pak sesa ato në Shqipëri, 267 dollarë. Pra ende jemi në një gjendje të vështirë, pasi fqinjët tanë kanë procedura më të shpejta dhe kosto më të ulët. Vendi tjetër i rajonit, Bullgaria, që ka një numër prej 32 ditësh për hapjen e një aktiviteti të ri, ka një kosto totale prej 270 dollarësh. Në këtë studim të bën përshtypje edhe rasti i Turqisë, e cila e ka përmirësuar procesin për fillimin e një biznesi, duke shkurtuar kohën që nevojitet, nga 38 ditë në 9 ditë. Kroacia, Hungaria, Letonia dhe Polonia futen me rregulla më lehtësuese për punësimin, duke i dhënë mundësi biznesit ta shtojë prodhimin.